Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, mori pjesë në takimin ministror të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit, në Slloveni.
Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci rikonfirmoi orientimin strategjik të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit.
“Në fjalën e tij, ministri Maqedonci theksoi se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur. Ai prezantoi progresin e Kosovës në ndërtimin e një force profesionale dhe bashkëvepruese, si dhe prioritetet për përmbylljen e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të takimit, ministri Maqedonci zhvilloi edhe takime bilaterale me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Republikës Çeke, Jaromír Zuna, si dhe me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Sllovenisë, Valentin Hajdinjak.
Në takimin me ministrin çek, u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes, transferimin e teknologjisë, si dhe trajnimin dhe edukimin ushtarak.




