Mustaf Abazi, një nga përfaqësuesit e LDK-së në diasporë dhe ish-kandidat për deputet nga kjo parti, ka reaguar pas kritikave dhe ofendimeve të shumta që janë bërë ditëve të fundit në adresë të partisë së ciles i përket.
Abazi ka thënë se ka menduar gjatë nëse duhet të reagojë apo të heshtë, duke theksuar se, ndonëse kritikat janë pjesë e demokracisë, ofendimet nuk duhet të jenë pjesë e debatit politik.
“Unë nuk jam mësuar që fjala të ndryshojë në minutat e fundit. Kur kemi pasur kohë për të biseduar, për t’u takuar, për t’i dëgjuar argumentet dhe për t’i menduar vendimet, për mua fjala dhe qëndrimi kanë peshë”, ka shkruar Abazi.
Ai ka theksuar se nuk mund të ndryshojë qëndrimin brenda pak orësh vetëm për shkak të ndryshimit të rrethanave.
“Nuk mundem që një orë të besoj në një qëndrim e një orë më vonë, vetëm sepse rrethanat kanë ndryshuar, të sillem sikur ajo që kam thënë më parë nuk ka ekzistuar”, ka deklaruar ai.