Kancelari Friedrich Merz e sheh Evropën përballë sfidave të mëdha: Rendi botëror po karakterizohet tani nga fuqia dhe forca, u shpreh ai në Davos, dhe theksoi, forca më e madhe rrjedh nga aleanca e ndërtuar mbi besimin.
Fjalimi i Kancelarit gjerman, Friedrich Merz në Davos të enjten u prit me shumë interes, pas zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe mosmarrëveshjeve për Grenlandën. Merz u ka bërë thirrje evropianëve që të përshtaten shpejt me dinamikën e ndryshuar të fuqisë politike në botë.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë një epokë të re, një epokë që shtrihet shumë përtej kësaj lufte agresioni, tha Kancelari në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Kancelari gjerman Friedrich Merz sheh një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të aleatit të Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara. Bota aktualisht po dëshmon një “riorganizim rrënjësor të politikës së jashtme dhe të sigurisë së ShBA-së”, tha Merz të enjten në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Një botë e re fuqish të mëdha po lind, “bazuar në pushtet, në forcë dhe – nëse vjen puna deri këtu – edhe në dhunë”, shtoi ai. “Një botë ku vetëm pushteti vlen është një vend i rrezikshëm”. Kjo vlen “së pari për shtetet e vogla, pastaj për fuqitë e mesme dhe në fund të fundit për ato të mëdha”.
Kancelari bëri thirrje që të merret fati në dorë dhe të mos lejohet të bëhemi shah i fuqive të mëdha. “Ne nuk jemi të pafuqishëm në mëshirën e këtij rendi të ri botëror”, tha ai. “Ne kemi një zgjedhje”. Gjermania dëshiron të luajë një “rol kyç” në mbrojtjen e një rendi botëror të bazuar në rregulla.
Ndryshimi i kursit të Trump – “rruga e duhur”
Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) përshëndeti ndryshimin e kursit të Presidentit të ShBA-së Donald Trump në mosmarrëveshjen për Grenlandën. Ndryshimi i kursit të Trumpit në mosmarrëveshjen për Grenlandën është “rruga e duhur”, tha Merz të enjten në një fjalimin e mbajtur në anglisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
