Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026.
Në raport janë evidentuar disa shkelje dhe mangësi në punën e QPS-së, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, neglizhencën në përmbushjen e detyrave zyrtare dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale.
Sipas Ministrisë, një nga shkeljet e konstatuara ka të bëjë me mosdorëzimin me kohë të raportit në Gjykatë. Raporti është dashur të dorëzohej brenda afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e 24 shtatorit 2026, por është dorëzuar më 5 tetor.
Po ashtu, Inspektorati ka evidentuar mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të 5 tetorit, duke e cilësuar këtë si neglizhencë në përmbushjen e detyrave të punës.
Një tjetër gjetje lidhet me mosrealizimin e monitorimit të rastit, ndonëse QPS-ja kishte përgjegjësi zyrtare për të vepruar edhe pa pasur detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.
Inspektorati ka konstatuar gjithashtu moszbatimin e procedurave standarde për menaxhimin e rasteve, përfshirë mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe mungesën e Planit Individual të Shërbimeve.
Përgjegjësi është evidentuar edhe te udhëheqësi i Shërbimeve Sociale, për shkak të mungesës së mbikëqyrjes profesionale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit.
Kërkohen masa disiplinore ndaj dy zyrtarëve
Për shkeljet e evidentuara, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., në përputhje me përgjegjësitë e tyre dhe procedurat ligjore.
Përveç masave disiplinore, Ministria i ka rekomanduar Komunës së Pejës rritjen urgjente të numrit të punonjësve profesionalë të licencuar në QPS, duke vlerësuar se kapacitetet aktuale janë të pamjaftueshme në raport me numrin e rasteve dhe territorin që mbulon ky institucion.



