Nesër (e Premte) në Kosovë do të mbajë mot mjaft i ngrohtë për këtë periudhë kohore, por me destabilizim të fuqishëm gradual. Erërat e fuqishme jugore do të fuqizohen edhe më shumë për shkak të afrimit të qendrës ciklonike në Ballkan.
Gjatë ditës priten vranësira e intervale me diell e në perëndim, veriperëndim e veri të vendit priten rrebeshe të herëpashershme shiu. Në lindje e juglindje intervale me diell dhe ngrohtë por me erëra nganjëherë të fuqishme nga jugu dhe juglindja.
Erërat më të fuqishme priten në viset malore në perëndim, veriperëndim, por edhe në veri e verilindje të vendit. Erëra të fuqishme priten edhe në viset tjera por jo shumë ekstreme dhe do të variojnë nga rajoni në rajon.
Në mbrëmje dhe gjatë natës reshje të fuqishme shiu pritet të përfshijnë shumë pjesë të Republikës së Kosovës, vende-vende priten rrebeshe intensive me vetëtima dhe bubullimë. Pastaj, do të kemi depërtimin e frontit të ftohtë ajror dhe erërat do të ndryshojnë drejtim e do të fillojnë të fryjnë nga veriu të cilat kalimthi mund të jenë të fuqishme, por pastaj do të vinë duke u dobësuar. Në viset kodrinore-malore do të fillojnë reshje shqote e bore.
Në Shqipëri nesër po ashtu pritet të ketë destabilizim të fuqishëm të motit me stuhi të fuqishme sidomos në veri e veriperëndim të vendit, lokalisht edhe në disa vise tjera.
