Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në një reagim të saj ka kërkuar protesta të pandalshme popullore në Kosovë dhe Bruksel, duke cilësuar qasjen e autoriteteve si “hipokrizi të pastër”.
Ajo theksoi se Gjykata Speciale ka pasur si objektiv vazhdimin e proceseve të UNMIK-ut dhe EULEX-it për përndjekjen e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke akuzuar Qeverinë aktuale të Kosovës për pasivitet dhe dështim në mbrojtjen e interesave të vendit.
”Përgjigja jonë duhet të jetë protesta të pandalshme popullore në Kosovë dhe në Bruksel
Çdo qasje tjetër është hipokrizi dhe na bënë bashke akuzues: Mos na e mbyllni gojën me parullat: “Rrini urtë se i dëmtojmë!” apo “Heshtni se kuptohet si ndërhyrje në drejtësi!”
Kjo qasje është hipokrizi e pastër dhe çon ujë vetëm në mullirin e kundërshtarëve të djemve të UÇK-së. Që nga dita e parë, Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka deklaruar qartë se objektivi i saj kryesor është të vazhdojë proceset e UNMIK-ut dhe EULEX-it për të përndjekur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk mund të fshihet nga memoria historike lobimi në favor të krijimit të një opinion se gjoja jemi në një situatë pa rrugëdalje, kur rrugëdalja ishte para syve tanë.