Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, po qëndron në Beograd, njoftoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi.
“Presim me kënaqësi diskutime përmbajtjesore me partnerët tanë për të ardhmen e Serbisë, prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë e reja për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Serbi lidhur me vizitën e tij.
Ambasada nuk sqaroi se me kë do të takohet Hanrahan gjatë qëndrimit të tij në Beograd.
Përfaqësuesit e Listës Studentore – subjektit që i fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit – njoftuan më herët se do të takohen me përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe me përfaqësues të Ambasadës së Italisë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Tema të diskutimit thanë se do të jenë sundimi i ligjit dhe energjetika.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë, të dëgjojmë mendime të ndryshme dhe të ndërtojmë partneritete, por vendimet për të ardhmen e Serbisë do t’i marrim në mënyrë të pavarur dhe me përgjegjësi, duke u udhëhequr vetëm nga interesat e qytetarëve të saj. Në marrëdhëniet ndërkombëtare duam partneritet, jo nënshtrim; duam bashkëpunim, jo bindje të verbër”, u tha në njoftimin e Lëvizjes Studentore.

