Nisma e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka njoftuar Kongresin amerikan për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes për Kosovën në vlerë prej 14 milionë dollarësh, i vë Shtetet e Bashkuara në pikën e mbështetësit më të madh të vendit.
Në këtë kontekst, kjo ndihmë përfshinë dronët dhe sistemet moderne të mbrojtjes, e deri te mbështetja për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri profesionale e të denjë për të qenë pjesë e NATO-s.
“Këtë e kanë dëshmuar edhe kongresistët e ndryshëm, këtë e kanë dëshmuar me ndihmën e tyre, ndihma e fundit dhjetëra milionëshe për FSK-në, andaj mendoj që jemi në rrugën e duhur pothuajse perfekte në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes sepse kjo tregon që Republika e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe nuk po i ndal projektet e saj, ashtu siç do të marrë pjesë edhe në misionin paqësor në Gaza”, ka thënë për RTK-në, Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.Ndërkohë, një nismë tjetër e miqve amerikanë është edhe propozimi i kongresistit republikan, Keith Self, që Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Greqisë për ta rishqyrtuar qëndrimin ndaj Kosovës dhe për të mos i penguar për anëtarësim në NATO.
