Një ditë pas protestës së 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me përplasje të forta mes qytetarëve dhe policisë, sot pritet të zhvillohet një tjetër protestë në Tiranë. Qytetarët dhe studentët pritet të vazhdojnë protestën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e tij.
Tubimi i sotëm është paraparë të fillojë në orën 10:00.
Lëvizja vijon të kërkojë largimin e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Protestat, që kanë nisur prej muajsh dhe janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme në kryeqytet, janë shoqëruar me përshkallëzim të kërkesave politike dhe përplasje të përsëritura me forcat e rendit.
Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola. Por situata u tensionua kur policia nuk lejoi grumbullimin e protestuesve përpara godinës së qeverisë.
Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë. Përplasjet vijuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.
Numri i të lënduarve gjatë protestës së 28 Nëntorit arriti në 48 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe gazetarë. Protesta e djeshme u ndoq edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e qytetarëve lidhen me akuzat për korrupsion, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.