Fatmir Sheholli kishte pranuar vetë se kishte punuar në UDB-në në vitet ’90, por sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, veprimtarinë e tij në shërbim të Serbisë e ka vazhduar deri në tetor të vitit të kaluar, kur u prangos. Shërbimi i tij për shtetin serb, sipas një aktakuze të dorëzuar nga Prokuroria Speciale, përfshin zbatimin e planeve serbe për zbrazjen e Kosovës përmes islamizimit e ndërhyrjen në zgjedhjet lokale në vend, duke krijuar “rrezik edhe për sigurinë dhe integritetin e qytetarëve të Kosovës”. Përmasat e plota të dëmeve për vendin të cilat përmenden në dosjen e Prokurorisë, ndoshta do të dihen vetëm gjatë procesit gjyqësor.
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka paraqitur aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar nën dyshimin se ka spiunuar për Serbinë “nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025” dhe se e ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.
Vetë Sheholli, i prezantuar si drejtor në një organizatë joqeveritare me emrin “Instituti për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike”, i ka thënë kësaj propkurorie pas arrestimit se kishte punuar për Drejtorinë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) “nga vitet 1990 e deri më 5 maj 1993”.
61-vjeçari nga Podujeva paraqitet në dosjen e Prokurorisë si njeriu i rekrutuar i Serbisë i cili e ka cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës. Ai thuhet se i raportonte Bojan Dimiqit, drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), nga i cili merrte materiale ose mjete financiare, të cilave, gjatë bisedave me të, u referohej me kode si “turshi” dhe “kumbulla”.
Një numër provash paraqiten në aktakuzën që prokurori Bekim Kodraliu ia paraqiti Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ato, siç thuhet në aktakuzë, dëshmojnë “pa mëdyshje” dhe “përtej dyshimit të bazuar mirë” për fajësinë e Shehollit.
Sheholli akuzohet se zyrtarit të BIA-s i ka siguruar, mbledhur dhe përcjellur, përmes mesazheve telefonike, të dhëna, informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitete politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Zbrazja e Kosovës përmes islamizimit
Në telefonin e Shehollit është gjetur, ndër tjerash, një dokument me mbishkrimin “Top sekret 2”, i shkruar në serbisht. Aty thuhet se shumica e fondeve të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive dhe shkollave islamike (medrese) në të gjithë Kosovën.
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen. Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmijë dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral Jankovic, Kaçanik, Dragash dhe Prizren”, thuhet në këtë dokument.
Tutje, aty përmendeshin njerëz të etnive të ndryshme në Ballkan që do të ishin “të gatshëm” të punonin në këtë dhe “të aktivizohen në Islam”.
Në dokument thuhet se udhëheqësit e bashkësive islame në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut janë “nën kontrollin tonë”.
“Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa më shumë të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim në Sport, media muzike dhe politike. Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami”, thuhet në atë dokument.
Sipas dokumentit, në vendet perëndimore janë deleguar njerëz të BIA-s nga bashkësitë islame të Kosovës dhe Sanxhakut, të cilët pretendohet se janë nën “urdhrat e ambasadave tona (të Serbisë) në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë”.
“Me këtë do te arrijmë që t’i ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën”, thuhet në dokument.
“Poshtë” në Kosovë, thuhet në dokument, “duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame”.
“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do të vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë”, thuhet në këtë dokument “top sekret”.
Kur kjo të arrihet, “Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi”, sipas dokumentit.
“Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”, thuhet në këtë dokument, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale.




