Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur i bindur se dikush do të përfundojë në burg pas kallëzimit penal që ka dorëzuar kundër Ministrit në detyrë, Hekuran Muratit dhe tre zyrtarëve të kësaj ministrie për mosalokimin e mjeteve nga të hyrat vetanake.
Rama tha se bëhet fjalë për 35 milionë euro që i janë bllokuar komunës që ai e udhëheq.
Ai tha se Murati mund t’i shmanget një skenari të tillë duke u arsyetuar se është ministër në detyrë, por se në fund barra do të bie tek zyrtarët.
“E thejnë ligjin edhe qind për qind dikush prej tyre do të hy në burg. Ky nuk e ka këtë problem sepse mundet teknikisht me i ik burgut sepse thotë jam në detyrë, e këta tjerët e kanë përgjegjësi. Edhe i përdorë, edhe i shti në burg”, ka deklaruar Rama.
Sipas Ramës, bllokimi i këtyre mjeteve është i jashtëligjshëm.
“Është pikërisht Ministri Hekuran Murati dhe zyrtarët aty që i bllokojnë të hyrat vetanake të kryeqytetit e që janë 35 milionë. Po i bllokojnë jashtëligjshëm. I teket Ministrit në detyrë e zyrtarëve që s’kanë çare pa e dëgju që me i blloku fondet e kryeqytetit. Lojë që po zgjatë qe nëntë muaj”, ka thënë Rama në RTV Dukagjini.
