F.H i cili mbeti i vrarë më 28 qershor në Ferizaj, rezulton se kishte në Gjykatën Themelore në Ferizaj një rast aktiv penal ku akuzohej për dhunim në bashkëkryerje ndaj një të miture.
Arjeta Roshaj dyshohet se më 28 qershor 2026, në Ferizaj, në objektin banesor-pronë e babait të saj M.B., ka privuar nga jeta tani të ndjerin F.H, shkruan “Betimi për Drejtësi“.
Ndërkaq, rasti aktiv i F.H. është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, duke bërë të ditur se ndaj tij figuron ky rast aktiv në evidencën penale.
Fillimisht, për këtë rast F.H. ishte liruar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën që i ngarkohej, por Prokurori i Shtetit kishte ankimuar këtë vendim në shkallën e dytë.
“Sipas kronologjisë së këtij rasti në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ndaj personit F.H. më 3 prill 2023, konform nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPRK-së, është nxjerrë aktgjykim me të cilin është liruar nga akuza për veprën penale në bashkëkryerje dhunimi nga neni 227, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj u anulua dhe lënda është rikthyer në rigjykim dhe rivendosje.
“Lidhur me këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, me të cilën sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur dhe lënda është kthyer në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet tutje në përgjigje.
Prokurori i rastit Agim Kuka nuk ka dhënë detaje për këtë çështje duke marrë parasysh që viktima është e mitur, por ka thënë se seanca e radhës për këtë rast është planifikuar të mbahet më 15 korrik.



