Pesë persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë plagosur pasi një autobus me turistë holandezë u përmbys në një zonë të thellë alpine në lindje të Zvicrës.
Aksidenti i rëndë ndodhi të enjten pranë fshatit Susch, në kantonin Graubunden, ku autobusi me 45 turistë holandezë doli nga rruga, u përmbys dhe përfundoi në një zonë ndërtimi, shkruan Aljazzera.
Sipas policisë zvicerane, tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, shtatë kanë pësuar lëndime të moderuara, ndërsa 30 të tjerë kanë marrë plagë të lehta.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan shtatë helikopterë dhe 13 ekipe ambulancash, të cilat transportuan të plagosurit drejt spitaleve.
Identiteti i pesë viktimave ende nuk është bërë i ditur. Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shprehur tronditjen e tij të thellë dhe ngushëllimet për familjet e viktimave.





