Drejtoria e Policisë Kufitare e Serbisë është deklaruar lidhur me pretendimet se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është larguar nga Serbia, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Radoiçiq, i cili është nën hetime për sulmin terrorist në Banjskë, nuk është paraqitur në polici më 15 nëntor, ndonëse kjo ishte një nga masat e shqiptuara ndaj tij nga gjykata.
Në komunikatën e saj, Policia Kufitare ka theksuar se nuk është kompetente t’ia kufizojë lirinë e lëvizjes asnjë personi, nëse një kufizim i tillë nuk është përcaktuar me ligj ose me vendim të një organi gjyqësor.
“Nëse në një procedurë të caktuar gjyqësore është marrë një vendim që duhet të zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjykata ia përcjell këto vendime zyrtarisht drejtorisë policore në vendbanimin e palës, me qëllim të evidentimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të mundshme nga policia kufitare”, thuhet në komunikatë.




