Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Nenad Miljkoviq dhe Aleksandar Llaziq pranuan fajësinë lidhur me akuzën për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Ndërkaq, katër të akuzuarit tjerë Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq, u deklaruan të pafajshëm për të njëjtën vepër. Sofronijeviq akuzohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjashtë të akuzuarit ngarkohen se më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë në turma të mbledhura në Mitrovicë të Veriut, ku kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dora pjesëtarët e Policisë dhe Doganës.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Milkoviq, avokati Haxhi Millaku tha se i mbrojturi i tij është njoftuar për të gjitha rrethanat dhe ky deklarim i pranimit të fajësisë është me vullnet të lirë, duke iu sqaruar të gjitha pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.
Avokati Millaku propozoi që në rast se të mbrojturit të tij i shqiptohet dënim me burgim, t’i zëvendësohet me gjobë.
Kurse, mbrojtësja e Aleksandër Llaziq, avokatja Jelena Krivokapiq tha se e përkrah vendimin e të mbrojturit të saj për pranim të fajësisë dhe theksoi se ka qenë dëshira e tij subjektive për pranim fajësie. Tha se atij i janë sqaruar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.
Edhe Krivokapiq tha se në rast se i akuzuari Llaziq dënohet me burgim, kërkoi që t’i zëvendësohet me burgim.
Më pas, prokurorja Shala tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve dhe se i njëjti është bërë në pajtim me dispozitat e procedurës penale.
Ajo propozoi që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e shqiptimit të sanksionit penal.
Më pas, gjykatësi Vesel Ismaili aprovoi pranimin e fajësisë për dy të akuzuarit dhe veçoi procedurën nga të akuzuarit tjerë.
Gjykatësi Ismaili njoftoi katër të akuzuarit që u deklaruan të pafajshëm se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
