Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë është futur në fazën e fundit të mandatit të saj, në një konferencë për media të mbajtur me datën 5 gusht 2025, kishte njoftuar se e ka tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese meqë gjyqtar referues për lëndën ku kërkohej të dihej se cilat janë pasojat legale për mosrespektim të afatit kushtetues 30 ditor, ishte caktuar gjyqtari nga komuniteti serb, Radomir Laban.
“Këtë e kam bërë sio reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare. Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, kishte thënë presidentja.
Sipas Osmanit, në një rast të tillë tejet të rëndësishëm s’mund të ishte gjyqtar referues Laban, meqë sipas informacioneve të strukturave të sigurisë, të rikonfirmaura sëfundi, i njëjti përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
“Është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet e sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se e rrezikon shtetin, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”, kishte thënë Osmani para gazetarëve.
Në këtë konferencë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se për këtë problematikë kishin folur edhe një herë në vitin 2024.
