Protesta për drejtësi për Arlinda Zekajn po vazhdon edhe sot në Prishtinë, në ditën e dytë të mobilizimit qytetar pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës.
Protestuesit po kërkojnë llogaridhënie nga institucionet për mënyrën se si u trajtua rasti i Arlindës, e cila para se të vritej kishte kërkuar ndihmë dhe kishte ngritur shqetësime për sigurinë e saj.
Gjatë protestës, në veturat zyrtare janë vendosur mbishkrime me pyetje drejtuar institucioneve, përfshirë: “Kush e miratoi planin për mbrojtjen e Arlindës?”. Përmes tyre, protestuesit po kërkojnë përgjigje për veprimet e ndërmarra dhe përgjegjësinë institucionale në këtë rast.
Protestat në Prishtinë kanë nisur të mërkurën, më 28 tetor, me thirrje për drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara, si dhe për ndëshkimin e personave që kanë neglizhuar rastin e saj. Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.





