Në një intervistë, Qelaj ka theksuar se institucionet vendore do të duhej të luanin rol më aktiv në monitorimin e procesit për të garantuar që po zbatohen standardet ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të barabartë.
“Po bëhen pesë vite nga kur ka filluar funksionimi i kësaj gjykate. Unë konsideroj që ka shumë dilema lidhur me atë se a po respektohen standardet për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ka munguar një transparencë e kësaj gjykate për t’i dhënë përgjigje pyetjeve, shqetësimeve dhe dilemave të opinionit publik. Natyrisht janë çështje të ndërlikuara, delikate, të ndjeshme, për të cilat unë konsideroj që edhe institucionet vendore është dashur që të bëjnë më shumë në drejtim të monitorimit të këtij procesi gjyqësor, për t’u garantuar dhe për t’u siguruar që po garantohen dhe po respektohen këto standarde”, tha ai.
Një nga shqetësimet kryesore të Avokatit të Popullit është zgjatja e paraburgimit të të akuzuarve, që sipas tij bie ndesh me të drejtën për mbrojtje në liri dhe me vetë parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Qelaj ka shtuar se një qasje e tillë krijon edhe një pasojë të dytë dëmton besimin në institucionet vendore dhe aftësinë e tyre për të garantuar mbrojtje të pavarur.