Rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve po ua vështirëson qytetarëve të Mitrovicës përballimin e shpenzimeve të përditshme, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Ata thonë se pensionet dhe pagat nuk po mjaftojnë për nevojat mujore, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile dhe vlerësojnë se gjendja rëndohet edhe nga papunësia, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për punësim.
Rifat Ahmeti ka thënë për KosovaPress se pensionet janë të ulëta, ndërsa çmimet vazhdojnë të jenë të larta.
“Çmimet janë shumë të larta, ndërsa pensionet dhe rrogat nuk janë të mëdha. Pensionet i kemi shumë të vogla, kurse çmimet janë të larta. Për ne nuk po interesohet askush. Ai që ka fëmijë e ka edhe më vështirë, ndërsa ai që nuk ka fëmijë po kapërcen disi”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, Bedri Ibrahimi tha se përballimi i shpenzimeve varetnga të ardhurat dhe numri i anëtarëve të familjes.
“Çka me thënë? Nevojë e tregtarëve, s’po di tjetër çka me thënë, veç nevojë e tregtarëve. Nevoja të shtin me përballu edhe ata, edhe ata, tjetër nuk ka. Po varet sa shpenzon, sa anëtarë jeni në familje. Varet krejt prej asaj, edhe sa e ke pensionin. Nëse e ke pensionin pak më të mirë, prapë mundesh me bo diçka, përndryshe vështirë. Krejt këto, krejt nevojë e tregtarëve janë. Qaty e blen 1.20, 1.50 euro, ma anej del ta shet 2 euro”, tha Ibrahami.
Edhe Sjedi Rrustemi u ankua për çmimet, duke i krahasuar ato me kostot e produkteve dhe shërbimeve në Suedi, ku, sipas tij, pagat janë dukshëm më të larta.
Në anën tjetër, Deli Sefedini tha se pensionistët po përballen me vështirësi për shkak të pensioneve të ulëta dhe rritjes së çmimeve. Ai tha se ka punuar për 35 vjet, por vetëm 15 vjet i janë llogaritur për pension.


