Gjendja e rëndë me mbeturina në kryeqytet ka bërë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ta vizitojë Kompaninë “Pastrimi”, ku është takuar me kryeshefin e kësaj ndërmarrje, Petrit Reçica.
Në takimin që zgjati afër një orë u diskutua për vështirësitë në grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.
Rama u tha mediave se aktualisht mirëmbajtja e mbeturinave në kryeqytet nuk është në nivelin e duhur.
Ai bëri të ditur se ka ftuar të gjithë kryetarët e komunave që menaxhohen nga ndërmarrja "Pastrimi", të takohen nesër dhe të bisedojnë për këto probleme.
"Faktikisht, i diskutualim shumë çështje. Pika kyçe, normal, grumbullimi i pastrimit, po thosha grumbullimi i mbeturinave në kryeqytet. Treguam që për momentin nuk është në nivelin e duhur. Ne kemi organizuar po ashtu edhe një takim tjetër nesër me kryetarët e komunave të tjera, sepse disa prej kryetarëve të komunave të tjera veç kanë filluar, kanë marrë faktikisht procese të tjera, i kanë shtyrë disa procese të tjera më përpara. Një problem kyç që e kemi është që Prishtina është aksionare në "Pastrim" me 77.6% dhe përderisa e ka vetëm një anëtar në bord, pra e përfaqëson Prishtinën vetëm një anëtar i bordit prej katër vetave sa janë, përderisa komunat e tjera që janë shumë më të vogla e përfaqësohen vetëm nga një anëtar. Edhe kjo rireformim na pamundëson ne si, neve si kryeqytet me ndërmarrë masa të cilat janë më se të nevojshme për me e mirëmbajtur pastrimin', tha Rama.
Ndërsa, kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Petrit Reçica theksoi se ofrojnë shërbime për mbi 400 mijë qytetarë dhe nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga niveli qendror.
"Ne i ofrojmë shërbim mbi 400 mijë qytetarëve dhe sot as prej nivelit qendror nuk kemi pasur asnjë përkrahje sa i përket kësaj pjese. Fatkeqësisht po them, sepse shërbimi për mbeturina nuk duhet të jetë veç problem lokal, duhet të jetë interes nacional edhe i të gjitha niveleve. Ne i kemi adresuar kërkesat tona sepse kjo çka edhe e potencoi edhe kryetari, ne do t'i diskutojmë edhe problemet, nuk mjafton me pasur veç kërkesa. Fakti që me deponinë kemi probleme është problem i trashëguar. Ne e kemi aty një borxh të trashëguar dhe fatkeqësisht për borxhe shpeshherë edhe na mbyllin dyert, për borxhe flas të trashëguara e që nuk do të duhej të ndodhte kjo sepse në çdo rrethanë mund të rrezikojë edhe shëndetësinë jo vetëm të kryeqytetit, por edhe të pothuajse gjysmës së Republikës së Kosovës për shkak të sasisë së mbeturinave", tha ai.
Qytetarët në vazhdimësi kanë ankesa për vonesë në grumbullimin e mbeturinave.