Pak orë para se të shterojë afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese e të fillojë zbatimi i masës së përkohshme, deputetët janë mbledhur në përpjekjen e 53-të për ta konstituar Kuvendin. Seanca nisi si zakonisht me vonesë, e përfundoi për pak minuta. Një seancë tjetër, ajo që do të jetë përpjekja e fundit për konstituim para përfundimit të afatit kushtetues, është thirrur për sonte, në ora 22:00.
107 deputetë ishin të pranishëm në sallë në seancën e sotme, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Përderisa VV-ja lëshoi menjëherë sallën, partitë e tjera vazhduan të qëndrojnë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se prej sa vjetësh që është zgjedhur deputet, nuk ka parë situatë më absurde se tash.
“Meqë vazhdimi i abuzimit u shfaq edhe sot në qasjen autoritare dhe imponuese nga ana e kryesuesit dhe na ftoi përsëri të jemi edhe njëherë në orën 22:00, siç po shihet për ta vazhduar talljen me qytetarët fjalimin tim do ta mbaj atëherë”.
“Kam pasur nderin jetësor te zgjidhem deputet i Kuvendit të Kosovës 7 herë më radhë dhe situatë më absurde dhe problematike nuk ka pasur asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.
Ai tha se Kurti po tenton të instalojë diktat në Kuvend.
“Shpresoj shumë se qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë se mentaliteti autoritar dhe i diktatit që Albin Kurti po tenton ta instalojë edhe në Kuvend, ka marrë fund se s’do ta lejojmë të kalojë”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka paralajmëruar se do të mbajë një fjalim pas seancës së orës 22:00.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se është hipokrizi që të mblidhen sërish sot në ora 22:00, për të vazhduar me seancën e 54-të, pas dështimit të 53-ës, disa minuta më parë.
Sipas deputetes, edhe për seancën e 54-të, përfundimi dihet.
“Shpreh keqardhje, ka 102 ditë që takohemi, herë çdo 48 orë, herë çdo 24 orë, dhe pa as përpjekjet minimale të partisë së parë për të bërë zgjidhje dhe për të bërë konstituimin institucioneve. Nga dje e kemi ditur që do të takohemi sot, dhe është raportuar se nuk ka asnjë lloj përpjekje, as sot nuk ka. Është hipokrizi të ftohemi prapë në ora 22:00 duke e ditur paraprakisht rezultatin”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se si parti kanë bërë gati fjalime në formë proteste, por sipas saj, këto fjalime do t’i thonë në ora 22:00, ani pse, sipas saj, përfundimi dihet.
E në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje udhëheqësve të PDK-së e LDK-së që “në një të ardhme të afërt” ta bëjnë një mazhorancë për Kuvend e Qeveri.
“Nuk e pati në plan me dalë, por insistoi shefja. Megjithatë, po shihet qartë që nuk ka vullnet për të bërë një zgjidhje për kryetarin e Kuvendit,” ka thënë Haradinaj në foltoren e Kuvendit.
“Edhe si deputet, e dëgjova Memlin kur tha për të shtatën herë. Mendoj që secili deputet këtu, me përvojën minimale që e ka, mund t’i japë zgjidhje dhe të bashkojmë forcat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.”
“Shihet qartë që z. Kurti po e shfrytëzon edhe emrin e Albulena Haxhiut, jo pse ndoshta insiston që ajo është zgjidhja, por sepse mendon që ka për qëllim ta çojë këtë situatë deri në pamundësi e ndoshta edhe në pafundësi.”