Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Klinë, në rigjykimin ndaj Eraj Temaj i akuzuar për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës si pasojë e të cilit kishte vdekur 23-vjeçari J.T., gjykatësja e rastit Sabrije Rracaj nxori aktvendim për përjashtimin e gazetarëve nga seanca. Më pas, në shenjë proteste u largua edhe nëna e viktimës- Kumrije Temaj.
Fillimisht, avokati i palës së dëmtuar- Kumrije Temaj, Xhemajl Ademaj kërkoi që rasti të kalojë në Departamentin për Krime të Rënda, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kërkesa jonë është që rasti të delegohet në Krime të Rënda, pasi aktvendimi i Apelit ka vendosur që të gjitha provat të analizohen edhe një herë, të gjenden prova të reja relevante për rastin kaq delikat”, deklaroi Ademaj.
Në anën tjetër, avokati i të pandehurit Temaj, Flamur Kelmendi, kërkoi përjashtimin e mediave nga seanca.
“Kërkoj që mediat të mos jenë prezent gjatë këtij gjykimit nga shkaku se edhe në gjykimin e përparshëm i cili nga Gjykata e Apelit është rikthyer në rigjykim, ka pasur kërcënime e edhe sot para fillimit të gjykimit e dëmtuara filloi të reagojë duke më sulmuar gojarisht me fjalë të cilat nuk lejohen gjatë një gjykimi të drejtë dhe të bazuar në ligj”, tha Kelmendi.
Ndërkaq, kundërshtoi propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar që lënda të kalojë në kompetencë të Departamentit për Krime të Rënda. Tha se vepra për të cilën po gjykohet Temaj është në kompetencë të Gjykatës në Klinë.
“Habitem me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar edhe pse kam një mendim jashtëzakonisht të mirë për të, por për faktin se vetë ai në ankesën e parashtruar në Gjykatën e Apelit ka kërkuar që i pandehuri të dënohet me një dënim më të rëndë. Në rastin konkret ne duhet t’i përmbahemi aktvendimit të Gjykatës së Apelit për gjetjet të cilat i ka gjetur gjatë shqyrtimit të shkresave”, theksoi Kelmendi.
Më pas, gjyqtarja Rracaj përmes aktvendimit refuzoi kërkesën e avokatit Ademaj që lënda të delegohet në Departamentin për Krime të Rënda.
“Fillimisht, përfaqësuesi i të dëmtuarës, kur është mbajtur shqyrtimi gjyqësor i datës 30.09.2024, nuk e ka bërë një kërkesë të tillë që lënda të dërgohet në Krime të Rënda në Pejë. E tani pasi që gjykata ka nxjerrë aktgjykimin dhe lënda është dërguar në Gjykatën e Apelit me ankesë dhe pasi është kthyer në rigjykim, përfaqësuesit të dëmtuarës i ra ndërmend që kompetente për këtë vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370… të dërgohet në Gjykatën Themelore në Pejë. Gjë e cila nuk korrespodon me asnjë ligj apo nen që e përcakton se pasi të gjykohet në një gjykatë të dërgohet në gjykatën tjetër”, tha gjykatësja.
Ndërsa, aprovoi kërkesën e avokatit Kelmendi, për përjashtimin e gazetarëve nga seanca.
“Gjykata merr aktvendim, pasi avokati i të akuzuarit kërkoi të përjashtohen mediat nga kjo seancë gjyqësore për shkak se i mbrojturi i tij përmes tij ka kërkuar se ndihet i shqetësuar dhe i stresuar që të jenë të pranishme mediat. Këtë propozim Gjykata e aprovoi, pasi që edhe paraprakisht përfaqësuesja e të dëmtuarës, Kumrije Temaj, para se të mbahet seanca ju drejtua mbrojtësit të pandehurit me fjalët fyese…”, tha Rracaj.

