Tetëmbëdhjetë lista, 2.418 kandidatë.
Vetëm 250 prej tyre do të bëhen pjesë e përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë dhe do të kenë mundësinë ta formojnë pushtetin.
Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit më 25 tetor, në zgjedhje të tjera të parakohshme: të tretat në pesë vjetët e fundit.
Për të hyrë në Kuvend, listat duhet të sigurojnë të paktën 3 për qind të numrit të përgjithshëm të votave.
Përjashtim bëjnë nëntë listat e pakicave. Për to vlejnë disa rregulla të ndryshme, përkatësisht një prag më i ulët që duhet ta kalojnë.
Zgjedhjet mbahen në një atmosferë thellësisht të polarizuar, të nxitur nga protestat masive kundër Qeverisë, të cilat nisën në nëntor të vitit 2024.
Kush janë kandidatët dhe për çfarë angazhohen? Radio Evropa e Lirë ju sjell një pasqyrë të tyre.
Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar
Listën e koalicionit të mbledhur rreth Partisë Përparimtare Serbe (SNS) e kryeson Aleksandar Vuçiq.
Ai e nisi fushatën nga pozita e presidentit të shtetit. Më 27 shtator dha dorëheqje dhe njoftoi se synon të bëhet kryeministër për herë të tretë.
Për çfarë angazhohet Serbia e Bashkuar?
Përfaqësuesit e listës që ai kryeson thonë se qytetarët, në këto zgjedhje, do të zgjedhin mes një “Serbie të bashkuar” dhe një “Serbie të përçarë”.
Premtimi parazgjedhor i Vuçiqit është se, nëse mbetet në pushtet, do ta zvogëlojë ndjeshëm numrin e ministrive.
Akuzave për korrupsion të përhapur , Vuçiqi u është përgjigjur duke lansuar portalin “Ko si bre ti” (“Kush je ti, ore”), ku qytetarët mund të raportojnë zyrtarët “arrogantë” dhe “të korruptuar”.
Në njërin prej tubimeve, ai tha gjithashtu se do të ruajë vazhdimësinë e politikës së jashtme dhe se nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë.
SNS-ja mbron politikën e neutralitetit ushtarak. Ajo është kundër anëtarësimit në NATO, por mbështet bashkëpunimin me aleancën.
Përfaqësuesit e saj thonë se janë pro anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë fushatës, Vuçiqi e përsëriti qëndrimin e tij se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Për herë të parë, për zgjedhjet parlamentare në nivel vendi, përparimtarët garojnë së bashku me Partinë Radikale Serbe (SRS), të ekstremit të djathtë nacionalist. Lideri i saj, Vojislav Sheshel, është dënuar me vendim të formës së prerë për krim lufte, për nxitjen e përndjekjes së popullsisë kroate nga Vojvodina.
Radikalët janë një parti haptazi proruse dhe angazhohen për ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, që bie ndesh me politikën zyrtare të përparimtarëve në pushtet.
Në listën e kandidatëve të propozuar nga SRS-ja për deputetë është edhe Vjerica Radeta, ekstradimin e së cilës e kërkon Mekanizmi Rezidual në Hagë, në kuadër të një procesi për mosrespektimin e Tribunalit.
Përveç SNS-së dhe SRS-së, në këtë listë janë edhe kandidatët e Partisë së Pensionistëve të Bashkuar, Bujqve dhe Proletarëve të Serbisë (PUPS), Partisë së Punëtorëve dhe Partisë Popullore Fshatare.
Ivica Daçiq – Faktori i Stabilitetit
Bartës i kësaj liste është lideri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe ministri i Brendshëm në qeverinë e deritanishme, Ivica Daçiq.
Gjatë gati dy dekadave të fundit, asnjë kombinim për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve nuk ka kaluar pa partinë e tij. SPS-ja ka qenë pjesë e çdo qeverie.
Socialistët janë në koalicion me përparimtarët që nga ardhja e këtyre të fundit në pushtet, në vitin 2012.
Ata thonë se dëshirojnë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe pas këtyre zgjedhjeve.
Për çfarë angazhohet SPS-ja?
Në SPS thonë se partia e tyre ka “dy themele të politikës: shtetformues dhe socialist”.
Që nga fillimi i fushatës, ata shpesh kanë bërë paralele mes këtyre zgjedhjeve dhe 5 tetorit të vitit 2000. Atëherë, gjatë protestave masive në Beograd, mori fund sundimi i liderit të atëhershëm të socialistëve dhe ish-presidentit autokrat të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, sundimi i të cilit u karakterizua nga sanksionet ndërkombëtare dhe luftërat.
Socialistët i cilësojnë ato protesta si “mashtrimi më i madh në historinë e Serbisë”. Ata u bëjnë thirrje votuesve të tyre që “të mos lejojnë” përsëritjen e një ndërrimi të tillë të pushtetit.
SPS-ja konsiderohet parti proruse dhe kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo mbështet bashkëpunimin me Kinën.
Njëkohësisht, angazhohet për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Në listën e socialistëve janë edhe partia Serbia e Bashkuar, të Gjelbrit e Serbisë, si dhe disa përfaqësues të Partisë Socialdemokrate të Serbisë.
Lista Studentore
Studentët në Serbi po marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare me listën e tyre.
Lëvizja studentore u krijua pas protestave masive kundër Qeverisë, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, kur humbën jetën 16 persona.
Ata e akuzojnë pushtetin aktual se aksidenti ndodhi si pasojë e korrupsionit të përhapur gjerësisht në vend.
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ishte një nga kërkesat e tyre.
Çfarë përfaqësojnë ata?
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndryshimet sistemike dhe institucionet e pavarura janë temat kryesore të programit të listës “Studentët Fitojnë”.
Ata konsiderojnë se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian është i domosdoshëm, por se anëtarësimi në BE është çështje për të cilën qytetarët duhet të shprehen përmes një referendumi.
Njëkohësisht, ata kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Deri më tani, nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë për NATO-n.
Qëndrimi i tyre është se Kosova është “pjesë e pandashme e Serbisë”.
Shumica e kandidatëve të listës studentore nuk kanë mbajtur kurrë poste shtetërore.
I pari në listë është Ilija Srdanoviq, profesor i mjekësisë urgjente dhe kardiolog në Institutin për Sëmundjet Kardiovaskulare të Vojvodinës.
Mes kandidatëve ka edhe profesorë universitarë, mësimdhënës, juristë, ekonomistë, sportistë dhe artistë.
Studentët theksojnë se lista nuk ka një lider të vetëm politik dhe se kandidatët i kanë përzgjedhur në asambletë plenare, ku kanë marrë pjesë studentë nga të gjitha fakultetet shtetërore.
Listën e tyre e kanë mbështetur disa parti opozitare që deri më tani kanë qenë të përfaqësuara në parlament, si dhe dhjetëra organizata joqeveritare dhe lëvizje qytetare.
Rasim Ljajiq – Populli
Në listën që mban emrin e Rasim Ljajiqit, një funksionari prej shumë vitesh dhe ministri në disa qeveri, bëjnë pjesë Partia Demokratike e Sanxhakut (SDP) dhe Partia Demokratike Malazeze (CDP).
Çfarë synon kjo listë?
Nën sloganin “Është koha për normalitet”, koalicioni përcjell gjatë fushatës mesazhin se angazhohet për uljen e tensioneve në shoqëri dhe për dialogun mes pushtetit dhe opozitës.
Ata synojnë të fitojnë sa më shumë mandate, në mënyrë që, gjatë ndarjes së pushtetit pas zgjedhjeve, “të kenë fjalën e tyre” për çështje të caktuara. Thonë se do të bisedojnë me “këdo që i fton” dhe që do të jetë në gjendje të krijojë shumicën parlamentare.
Sa i përket Kosovës, Ljajiqi mendon se Serbia nuk duhet ta njohë pavarësinë që Kosova shpalli në vitin 2008, por mbështet dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ai gjithashtu vlerëson se, “pavarësisht të gjitha mangësive”, Serbia nuk ka alternativë ndaj rrugës evropiane. Sipas tij, sanksionet ndaj Rusisë duhet të vendosen vetëm kur vendi të jetë afër anëtarësimit në BE.
Ljajiqi nuk është kandidat për deputet, por merr pjesë aktivisht në fushatë.
Në prag të zgjedhjeve, ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Serbisë, e cila nuk është parti e pakicës kombëtare dhe që në këto zgjedhje garon në koalicion me SPS-në.
Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës – Balint Pastor
Edhe kjo listë ka statusin e listës së pakicës kombëtare.
Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (SVM) është partia më e madhe e këtij komuniteti në Serbi.
Për çfarë angazhohet kjo listë?
Ajo angazhohet për mbrojtjen e interesave të pakicës kombëtare hungareze.
Si pika kryesore të programit të saj, SVM-ja përmend edhe luftën kundër “migrimit të paligjshëm”, integrimin evropian dhe partneritetin strategjik mes Serbisë dhe Hungarisë.
Gjatë viteve të mëparshme, ajo ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).
Për SVM-në, këto do të jenë zgjedhjet e para që nga ndryshimi i pushtetit në Hungari në prill, kur aleati i saj, Viktor Orban, dhe partia e tij Fidesz humbën pushtetin pas 16 vjetësh.
Usame Zukorliq (SPP) – Lëvizja për Bashkim
Bartës i kësaj liste të pakicës kombëtare boshnjake është kryetari i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Usame Zukorliq.
Për çfarë angazhohet ai?
Ata kanë deklaruar se një nga synimet e tyre është përmirësimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje të rajonit.
Theks të veçantë i kushtojnë marrëdhënieve mes Beogradit dhe Sarajevës.
SPP-ja është parti proevropiane.
Zukorliqi ka deklaruar më herët se beson që Serbia, megjithatë, një ditë do t’i bashkohet NATO-s.
Që nga viti 2022, kjo parti ka ministra në Qeverinë e Serbisë.
Megjithatë, në fund të vitit 2025, Zukorliqi shprehu publikisht pakënaqësinë e tij me bashkëpunimin me partinë në pushtet.
Partia Ruse “Serbia në BRICS” – Slobodan Nikoliq
Edhe listës së Partisë Ruse i është njohur statusi i listës së pakicës kombëtare.
Nikoliqi është ish-nënkryetar i Partisë Popullore Fshatare, e cila prej vitesh është pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga SNS-ja.
Për çfarë angazhohen?
Ata angazhohen për forcimin e lidhjeve mes Serbisë dhe Rusisë.
Mbështesin anëtarësimin e Serbisë në BRICS, në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik dhe anëtarësimin e plotë në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (ODKB).
Rusia është shteti udhëheqës në të gjitha këto organizata, të cilat konsiderohen si kundërpeshë ndaj Perëndimit.
Ata kundërshtojnë anëtarësimin në BE dhe NATO.
Dhe e mohojnë pavarësinë e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që Partia Ruse merr pjesë në zgjedhje. Deri më tani, ajo ka pasur përfaqësues në kuvendet lokale, si dhe një deputet në Kuvendin e Serbisë.
Ajo ka bashkëpunuar me Partinë Përparimtare Serbe.
E Djathta Autentike – Millosh Jovanoviq
Këtë listë e përbëjnë koalicioni i orientuar djathtas, Partia e Re Demokratike e Serbisë, Monarkistët (Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë – POKS) dhe koalicioni NADA.
Për çfarë angazhohen?
Ata e përshkruajnë veten si “grupim euroskeptik” dhe thonë se nuk duan që “Brukseli të jetë kryeqyteti i tyre”.

