Eksperti i njohur amerikan i diplomacisë dhe menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, ka paraqitur një propozim që po ngjall debat serioz në qarqet politike të Uashingtonit dhe Evropës: futjen e Kosovës dhe Serbisë në NATO.
Po ashtu edhe aplikimin e elementeve të modelit të Kosovës në rajonin e Donbasit të Ukrainës, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar ndikimin rus në Evropë.
Joseph, aktualisht lektor në Johns Hopkins University – SAIS, tha se Ballkani nuk është një rajon periferik, por një nyje kyçe e luftës hibride të Rusisë kundër Perëndimit.
“Ukraina është dimensioni kinetik i luftës. Ballkani është dimensioni hibrid. Dhe Serbia është platforma përmes së cilës Rusia ushtron ndikimin e saj në rajon,” deklaroi Joseph.
Sipas Joseph, largimi i Serbisë nga orbita e Moskës do të kishte një efekt shkatërrues për strategjinë ruse në Evropën Juglindore.
“Futja e Serbisë në NATO do të ishte si fundosja e anijes ‘Moskva’ për Rusinë në Ballkan,” tha ai, duke e krahasuar ndikimin strategjik të këtij hapi me humbjen simbolike dhe ushtarake të flotës ruse në Detin e Zi.
Ai theksoi se 96 për qind e investimeve kineze në Ballkan janë të përqendruara në Serbi, ndërsa Rusia e përdor Beogradin për të bllokuar Kosovën dhe për të ushqyer narrativën kundër NATO-s.
Joseph argumenton se ideja nuk është teorike, por e ndërtuar mbi realitete aktuale politike.
“Serbia tashmë është nën presion për shkak të kontrollit rus mbi kompaninë NIS. Ky presion duhet të përshpejtohet. Beogradi po detyrohet të shkëputet nga Moska,” u shpreh ai.
Ai shtoi se Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ndodhet në një krizë të brendshme politike dhe se një ofertë e tillë nga Presidenti Donald Trump, i cili gëzon popullaritet në Serbi, do të kishte peshë të jashtëzakonshme.
“Një rrugë drejt NATO-s e propozuar nga Trump nuk do të mund të injorohej nga Vuçiq,” tha Joseph.
