Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar autoritetet e Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999.
MPJD ka thënë se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e z. Qenaj dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik. Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit.
