Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka deklaruar se minatorët e “Trepçës” po përballen me vështirësi të shumta, si në aspektin e sigurisë në punë ashtu edhe në vonesa të pagave.
Shala në një intervistë për Ekonomia Online thotë se gjendja e përgjithshme në këtë ndërmarrje vazhdon të mbetet e rënduar dhe për këtë ai fajësoi pushtetin dhe nivelin menaxherial.
Duke folur për shkaqet e grevave të njëpasnjëshme dhe situatën aktuale në muajt e fundit, Shala theksoi problemet e thella strukturore dhe menaxheriale në ndërmarrje.
“Nisur nga të gjitha raportet zyrtare, gjendja në ndërmarrjen ‘Trepça’ është jo e mirë, apo shumë e rënduar në kuptimin edhe juridik, edhe në kuptimin ekonomik. Kuptimi juridik, sepse atje nuk ka lëvizje më juridike sa i përket çështjes së përmirësimit të aspektit juridik të ndërmarrjes, dhe nuk është lëvizur më asgjë nga aspekti shtetëror që të nxirren aktet normative nga Ligji i Trepçës, si dhe hapa të tjerë si udhëzime administrative që e rregullojnë dhe e përmirësojnë mënyrën e punës dhe funksionimit të Trepçës. Atje nuk është bërë asnjë veprim që 20% e aksioneve të punëtorëve të legalizohen, të qartësohen dhe të vlerësohen, sepse me ligj ‘Trepça’ është shoqëri aksionare dhe 20% janë pjesë e aksioneve të punëtorëve, e të cilët në asnjë rast nuk i gëzojnë ato”, tha ai.
Deputeti Shala, theksoi se mungesa e investimeve kapitale dhe rënia e prodhimit në Trepçë kanë përkeqësuar gjendjen ekonomike të dnërmarrjes.
“Aspekti tjetër është që në Trepçë nuk ka investime kapitale, nuk ka praktikisht asnjë investim kapital në përmirësimin e teknologjisë eksploatuese. E ku nuk ka teknologji adekuate, të re, do të thotë nuk ka as prodhim, dhe të dhënat tregojnë që prodhimi ka rënë si asnjëherë tjetër, në minimum. Rënia e prodhimit ka vështirësuar gjendjen ekonomike të ndërmarrjes, e në këtë rast ka vështirësuar tej mase edhe kushtet e punëtorëve. Kur i shtojmë kësaj mënyrën jo të mirë menaxheriale, që ekipet disa herë brenda pesë viteve janë ndërruar (edhe bordet, edhe drejtorët ekzekutivë), atje kemi pasur, si me thënë, një kohë ku janë bërë eksperimente me nivelet menaxheriale”, thotë deputeti.
Sipas tij, të gjitha këto probleme po reflektohen drejtpërdrejt te punëtorët, të cilët përballen me rreziqe dhe pasiguri të vazhdueshme.
“Të gjitha këto parregullsi dhe shkelje mbi supe po i mbajnë një pjesë e minatorëve, që edhe punojnë, edhe nuk paguhen sa duhet e si duhet, por mbi të gjitha janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të mbrojtjes dhe sigurisë në punë, si dhe janë të ekspozuar ndaj presioneve politike. Duke e pasur parasysh që tashmë ka të dhëna dhe i shihni edhe në media që pothuajse në mënyrë permanente, të vetmet informacione që kemi janë largimi i një punëtori nga puna, apo lëndimi i punëtorëve në punë, e kështu me radhë. E këto veprime të gjitha e kanë vështirësuar gjendjen e përgjithshme, edhe atë sociale, të minatorëve”, shtoi ai.
Duke folur për ndikimet politike në ndërmarrje, Shala theksoi se ndërhyrjet kanë qenë të vazhdueshme dhe me pasoja për funksionimin e saj.
“Partia në pushtet menaxhon me ndërmarrjen ‘Trepça’. Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Njësia për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike pranë kësaj ministrie, është linja direkte apo hierarkia direkte juridike e menaxhimit të ndërmarrjes. Në këtë rast, ne kemi pasur vendosje kadrovike krejtësisht politike, e këto kuadro politike të papërgatitura për industrinë minerare, të papërgatitura për të menaxhuar dhe për të udhëhequr, kanë vepruar politikisht, dhe politikisht miniera nuk ka arritur që të rezultojë me rezultat pozitiv. Në këtë rast, po them, presioni politik sidomos mbi ekipin menaxhues, profesional, inxhinierik dhe punëtorët në minierë, ka qenë jashtëzakonisht i madh viteve të fundit”, potencon Shala.
