Shtetet e Bashkuara u kanë bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të reja dhe tejkalimin e ngërçit institucional, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se udhëheqësit politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e situatës së krijuar.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha zëdhënësi.
Kjo është thirrja e dytë e ngjashme nga pala amerikane brenda një kohe të shkurtër. Më 12 gusht, edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë u kishte bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës institucionale.
Thirrja e re amerikane vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk arriti deri te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.
As në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi përsëri kohë për konsultime, ndërsa gjatë seancës deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Që atëherë, procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka deklaruar se seanca e radhës do të thirret kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, duke argumentuar se pa një marrëveshje politike, vazhdimi i seancës do të ishte vetëm formalitet.
Përpjekjet për një marrëveshje



