Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në kantonin e Lucernit, në Zvicër, nën dyshimet për trafik droge. Gjatë një kontrolli policor në një pronë në Pfeffikon LU, i dyshuari është hedhur nga dritarja, nga një lartësi prej rreth tre metrash e gjysmë, në përpjekje për t’u arratisur. Ai është plagosur nga rënia, por fillimisht ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar pak më vonë nga policia.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat zvicerane, bazuar në njoftimin e policisë së Lucernit, ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 21 tetor 2026, pasi autoritetet kishin marrë informacione për veprimtari të dyshuar kriminale dhe kishin nisur monitorimin e një prone në Pfeffikon.
Kur zyrtarët policorë tentuan të kontrollonin dhomën ku ndodhej 35-vjeçari, ai u hodh nga dritarja në një lartësi prej afërsisht tre metrash e gjysmë, me qëllim që t’i shmangej kontrollit policor, shkruan Blick.
Pavarësisht lëndimeve të pësuara nga rënia, i dyshuari arriti të ikte nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, arratisja e tij nuk zgjati shumë, pasi policia arriti ta lokalizonte dhe ta arrestonte pak më vonë.
Pas arrestimit, 35-vjeçari mori trajtimin e parë nga ekipet mjekësore. Për shkak të lëndimeve, ai më pas u transportua me helikopter në spital për trajtim të mëtejshëm.
Sekuestrohen heroinë, kokainë, para të gatshme dhe një armë
Pas ngjarjes, hetuesit kryen një kontroll të mëtejshëm në pronën ku qëndronte i dyshuari. Gjatë këtij kontrolli, policia zbuloi dhe sekuestroi disa qindra gramë substanca narkotike të dyshuara, konkretisht heroinë dhe kokainë, transmeton Telegrafi.


