Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e pastrimit të parave, duke lëshuar 10 masa arresti, si dhe duke vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të shumta me vlerë rreth 150 milionë euro. Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 10 shtetas shqiptarë, konkretisht: Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi alis Eldi Dizdari, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika, Shpëtim Aliu.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Pastrim i produkteve të veprës penale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”;
Deri më tani, në pranga ka rënë vetëm Florjan Musaj, ndërsa për 2 persona të tjerë që dyshohet se ndodhen në Shqipëri, vijojnë kërkimet. Ndërkohë, 7 personat e tjerë ndodhen jashtë vendit, ndërsa për arrestimin e tyre, SPAK thekson se është duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të tjera.
Ky rrjet kriminal drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, dy emra mjaft të njohur të botës së krimit.
Gjika u arrestua 1 vit më parë në Abu-Dabi, ndërsa ishte një prej emrave më të kërkuar nga Ekuadori. Gjika konsiderohet si një prej drejtuesve të mafies së trafikut të drogës mes Kolumbisë, Ekuadorit dhe vendeve të BE-së.
Eldi Dizdari alias Denis Matoshi është një prej eksponentëve më të kërkuar nga drejtësia i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Prej vitesh tashmë është në kërkim nga drejtësia italiane ku Gjykata e Firences ka caktuar ndaj tij “arrest me burg” më 25 nëntor 2019 për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Hetime ndërkombëtare dhe trafik masiv kokaine
Sipas dosjes hetimore, grupi kriminal ka operuar gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine dhe disa shtete të Europës, përfshirë Brazilin, Belgjikën dhe Holandën. Hetimet kanë krijuar dyshimin se janë trafikuar të paktën 50 ton kokainë, ndërsa janë dokumentuar 5 episode kryesore sekuestrimi që përfshijnë rreth 8.9 ton lëndë narkotike.
Ndër rastet e dokumentuara përfshihen sekuestrime në Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Kolumbi, me ngarkesa që variojnë nga qindra kilogramë deri në disa ton kokainë, të transportuara përmes porteve ndërkombëtare dhe rrjeteve detare tregtare.
