Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh në mbledhjen e sotme, ku ndër më të rëndësishmet është ndalimi i tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë lidhje direkte apo indirekte me Serbinë.
Po ashtu, Qeveria ka shpallur masa emergjente për furnizimin me energji elektrike për një periudhë 60-ditore, si dhe ka obliguar KEK-un të sigurojë kapacitete ndërkufitare të transmisionit për të adresuar mungesën e prodhimit të planifikuar nga njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”.
Të gjitha vendimet:
Qeveria ka:
– Miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike, me ndërmarrjet e identifikuara sipas këtij propozimi duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, drejtpërdrejt ose përmes tranzitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta. Përmes këtij vendimi obligohet Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që brenda afatit ligjor, në bazë të të dhënave të regjistrimit të bizneseve, përfshirë të dhënat për pronësinë dhe pronarët përfitues, të identifikojë ndërmarrjet e regjistruara me veprimtari kryesore ose dytësore në sektorin e energjisë elektrike. Ky identifikim do të përfshijë kategoritë e mëposhtme të ndërmarrjeve:
2.1. kanë ndërmarrje amë, të drejtpërdrejtë ose përfundimtare, të regjistruar në Serbi;
2.2. janë degë ose njësi organizative të ndërmarrjeve të regjistruara në Serbi;
2.3. kanë lidhje direkte apo indirekte me persona fizikë ose persona juridikë të regjistruar në Serbi.
Përjashtimisht, ndalimi i përcaktuar me këtë Vendim nuk zbatohet për transaksionet dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013, Konkluzionet e Lehtësuesit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i datës 21 qershor 2022.
Miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, të vlefshme për periudhën prej gjashtëdhjetë ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Miratuar vendimin për vendosjen e obligimin e shërbimit publik ndaj KEK-ut për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit. Përmes këtij vendimi Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.A. (KEK) i vendoset obligimi i shërbimit publik për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit në funksion të adresimit të mungesës së prodhimit të planifikuar nga njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”.
Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës.
Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Ljublanës/Hagës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare.
Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare.
Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mbi Ekstradimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës.



