Miguel Angel Moratinos, ish-Ministër i Jashtëm i Spanjës, tri ditë para shpalljes së Pavarësisë, i kishte kërkuar ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ta shtynte vendimin. Siç rrëfeu Thaçi në Rtv Dukagjini, Moratinos, për të realizuar dëshirën e tij, e kishte dërguar një kosovar t’ia dërgonte porosinë atij.
“Në Bruksel takova shumicën e ministrave të jashtëm të BE-së, vetëm ai i Spanjës, Miguel Moratinos, kishte dilemat e tij, jo rreth së drejtës për Pavarësi, por rreth kohës për shpalljen e saj. Në Spanjë po mbaheshin zgjedhje, ai kërkoi shtyrjen e datën e shpalljes. Nuk pranova. Sepse kjo do të hapte mundësinë që të shtyhej pavarësia në pafundësi. Kur ke parasysh tërësinë e shteteve të BE-së, gati çdo muaj ndodh që njëri prej shteteve të ketë zgjedhje nacionale, lokale apo me karakter evropian. Këtë temë e hapi edhe Solana si përfaqësues i politikës së jashtme të BE-së, por nuk insistoi. Tri ditë para 17 shkurtit, u lajmërua edhe një mesëngjer lokal në emër të ministrit Moratinos… me kërkesën e njëjtë “të shtyhet shpallja e pavarësisë…për hir të Moratinos”; bisedën e kalova me elegancë, kosovari nuk u lajmërua më vonë. Për “kontributin” e tij ministri spanjoll u nderua me medalje nderi nga Beogradi”, tha Thaçi për Rtv Dukagjini.
Emri i Moratinos u rishfaq sërish në publik në korrik të vitit 2026. VOX Kosova, raportoi se ishte Rita Augestad Knudsen, bashkëshorja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ajo që në një simpozium në Greqi u shfaq në një takim e panel pranë Moratinos.





