Aleanca Veriatlantike është deklaruar në përvjetorin e tretë të sulmeve në Banjskë, e cila ndodhi më 24 shtator 2023, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.NATO ka përsëritur thirrjet për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për aktet e dhunës nga viti 2023.
Një zyrtar i saj ka thënë për Klankosova.tv se vazhdon të bëjë thirrje për llogaridhënie nga kryesit e këtij sulmi.“Ne kemi qenë shumë të qartë me homologët tanë serbë – në të gjitha nivelet – se sulmet e kryera ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe dhuna e mëtejshme e ushtruar në Kosovë në vitin 2023, janë të papranueshme. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që përgjegjësit të mbahen përgjegjës. Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe presim që partneriteti ynë të jetë në të dyja drejtimet. Presim që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në mënyrë konstruktive. Në këtë drejtim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdon të jetë në kontakt me Presidentin Vuçiq”, ka deklaruar ai.
“KFOR-i është i pozicionuar mirë për t’u përballur me çdo zhvillim të sigurisë, përfshirë përmes shtimit të pranisë në veri të Kosovës, me anë të patrullimeve, pikave të vëzhgimit dhe kontakteve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve. KFOR-i është i përqendruar plotësisht në zbatimin e mandatit të tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet në përgjigje.

