Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka shënuar rekord historik, duke tejkaluar shifrën prej 4 miliardë eurove mjete nën menaxhim. Sipas drejtuesve të Trustit Pensional, rritja është rezultat i kthimeve të larta nga investimet dhe kontributeve të vazhdueshme pensionale.
Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se kjo paraqet stabilitet financiar dhe potencial për zhvillim ekonomik në vend.Rritja e vazhdueshme e kursimeve pensionale ka bërë që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës të arrijë një tjetër rekord historik, duke tejkaluar për herë të parë shifrën prej 4 miliardë eurove mjete nën menaxhim. Këtë e ka quajtur sukses Adrian Zalli, drejtor menaxhues në Trustin Pensional, sipas të cilit, për këto të arritura kanë ndikuar disa faktorë.
“Shifra prej 4.1 miliardë eurosh, e cila është sot, është si shkak i kthimit nga investimet prej disa vitesh. Po i përmendi vetëm tri vitet e fundit, ku në vitin 2024 kemi pasur kthim rreth 250 milionë euro, vitin e kaluar, 2025, kemi pasur kthim rreth 308 milionë euro, kurse prej fillimit të vitit deri më sot kemi rreth 210 milionë euro. Të gjitha këto e bëjnë të vetën që të arrihet kjo shifër. Natyrisht, faktori kryesor janë investimet tona që janë bërë dhe të hyrat që vijnë nga kontribuuesit. Kemi të bëjmë me një strategji investive që e ka aprovuar bordi, nga e cila kërkohet që të bëhen investime në mënyrën se si bëhen në tregjet globale financiare dhe ky është rezultati”, tha Adrian Zalli, drejtor menaxhues në Trustin Pensional.Sipas njohësve të ekonomisë, kjo e arritur e Trustit Pensional do të ndikojë edhe në ekonominë e vendit.
