Shefi i ri i UNMIK-ut në Prishtinë, Peter Due ka thënë se përvojat e hershme të këtij misioni të OKB-së në Kosovë mund të shërbejnë si model për menaxhimin e krizave me të cilat po përballen rajone të ndryshme të botës.
“Bota është mjaft kaotike për momentin, por disa njerëz ende i përdorin ditët e para të UNMIK-ut si shembull se si të menaxhohen krizat. Ne, si OKB, mund të bëjmë gjëra që të tjerët nuk munden” theksoi ai, në një videoparaqitje të realizuar nga ky mision, transmeton KosovaPress.
Në të, Due flet rreth përvojës së tij të mëhershme në Kosovë dhe rolin që misioni i OKB-së ka pasur dhe vazhdon të ketë në menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e paqes.
Politikani danez rikujtoi se ka shërbyer në UNMIK në Prishtinë gjatë viteve 1999-2000, duke e cilësuar kthimin e tij në Kosovë, si një përvojë të veçantë.
“Kam kaluar ditët e para duke takuar sa më shumë njerëz të mundshëm për të dëgjuar dhe për të mësuar. Ka pasur progres të jashtëzakonshëm – një shoqëri e re dhe dinamike – por sigurisht që mbeten ende sfida” u shpreh ai.
Duke folur për rolin historik të UNMIK-ut, Due theksoi se misioni ka qenë dikur shumë i madh dhe kyç në rindërtimin e Kosovës pas luftës.
