Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e vazhdueshme të barnave esenciale, veçanërisht atyre që përdoren në trajtimin e kancerit.
Gjatë interpelancës së thirrur lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer të gjirit, e cila sipas organizatës Renesansa kishte mbetur rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib, Jashari kërkoi sqarime se pse pacientja nuk kishte arritur ta siguronte barin dhe çfarë zgjidhjeje i ishte ofruar asaj nga institucionet.
Sipas Renesansës, pacientja nuk kishte pasur mundësi ta blinte vetë terapinë, e cila kushton deri në 1 mijë e 800 euro. Gjatë periudhës pa trajtim, asaj i ishin shfaqur metastaza të reja në tru, ndërsa organizata ka njoftuar se ajo ka vdekur.
“Për ju mund të jetë vetëm një tender që është vonuar, por për atë grua ishin katër muaj pritje të një bari, ndërkohë që sëmundja nuk pret”, tha Jashari.
Ajo theksoi se nuk u takon deputetëve të përcaktojnë shkakun mjekësor të vdekjes, por kërkoi përgjigje nga ministri Vitia se kush ishte në dijeni për mungesën e barit dhe çfarë zgjidhjeje iu ofrua pacientes.
“Pse kjo paciente ka mbetur pa terapi të përshkruar, kush ka qenë në dijeni që ky bar ka munguar, çfarë zgjidhje ju është ofruar asaj kur nuk kishte mundësi ta blinte privatisht? Familjes së saj ia kemi borxh një përgjigje, pacientëve që sot janë në trajtim ua kemi borxh sigurinë se nuk do të përballen me të njëjtën pritje”, deklaroi ajo.
Jashari tha se problemi i mungesës së barnave nuk ka filluar këtë vit, por po përsëritet prej vitesh. Ajo paraqiti një kronologji të mungesave, duke përmendur problemet me barnat esenciale në vitin 2021, mungesën e barnave për trajtimin e kancerit në vitin 2022, detyrimin e pacientëve për të blerë barna dhe materiale mjekësore në vitin 2023, si dhe mungesën e sorafenibit në vitin 2024.
Sipas saj, edhe gjatë vitit 2025 janë raportuar mungesa të barnave dhe shkurtim i seancave të dializës në Mitrovicë për shkak të mungesës së materialeve të nevojshme.




