Ditët për vendimin ndaj katërshes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur së numëruari mbrapsht, para se Gjykata Speciale ta thotë fjalën e saj.
Për vendimin e madh të Speciales, organizatori i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka bërë të ditur se do të ketë dy organizime, ku njëri do të nisë më 12 shtator në Prishtinë e tjetri më 16 shtator në Hagë.
“Po, janë dy organizime. Njëri është me 12 shtator në Prishtinë "Marshi i Lirisë", Kosova po bëhet gati. Tjetri është më 16 shtator, me të njëjtën moto, me të njëjtin përshkrim, vetëm se është i zhvendosur në Hagë, në kohë reale të ndodhë ku ndodh edhe gjykimi final që e gjithë Kosova e pret. Po, organizimi është shumë i mirë, për shkak edhe të përvojave të dy marsheve të tjera, për shkak edhe të afrisë së emocionit me verdiktin. Edhe ky është tregues që vëmendja qytetare është e rritur në raport me atë se çka po ndodh në Hagë, edhe bashkëpunimi është shumë më i madh se marshe të tjera, që i bie logjikisht që ndoshta do të jetë marshi më i madh ndonjëherë në historinë të Kosovës”, tha Tasholli, raporton KosovaPress
Ai tha se në marshin e 12 shtatorit, numri i qytetarëve që do të jenë në rrugë e sheshe duke i përkrahur ish-krerët e UÇK-së do ta tejkalojë 200 mijëshin.
“Po, zakonisht hezitoj pak të flas me numra, po besoj që, kam përshtypjen që 200 mijë vetë do të jenë në shesh, më 12 shtator, që i bie që do të jetë prej organizimeve më të mëdha ndonjëherë në historinë e Kosovës. Mund të jetë edhe numër më i madh, por nuk besoj që do të jemi më pak se 200 mijë vetë”, tha ai.
