Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Oezkan Ulutash ka folur për optimizimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë. Ulutash përsëriti se ky proces, si i tillë do të zhvillohet gradualisht dhe duke e analizuar situatën e sigurisë porse trupat mund të kthehen nëse e kërkojnë zhvillimet.
Ulutash ka deklaruar se pas sulmit në Banjskë, u dislokuan trupa shtesë në Kosovë, por pas sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s në maj të vitit 2023 dhe pas Banjskës, nuk ka pasur më incidente me përmasa të tyre.
“Nuk jam në pozitë të zbuloj detaje operacionale. Kjo është thelbësore për të ruajtur efektivitetin dhe fuqinë parandaluese të KFOR-it. Megjithatë, mund t’ju them se ne do të vazhdojmë të monitorojmë çdo zhvillim relevant të sigurisë dhe do të sigurohemi gjithmonë që misioni ynë të jetë i pozicionuar siç duhet dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij. Siç kam thënë edhe më parë, procesi i optimizimit të pranisë së KFOR-it bazohet në një analizë të kujdesshme të disa treguesve të sigurisë. Ai do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë”, ka thënë Ulutash në një intervistë për KosovaPressin.
Zvogëlimi i pranisë së KFOR-it sipas Ulutash ka thënë se duhet të shihet si tregues pozitiv sa i përket sigurisë. Ai deklaroi se Ballkani Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n dhe si i tillë nuk do të lejohet krijimi i një vakuumi të sigurisë.
“Për 27 vjet, KFOR-i ka qenë një shtyllë e sigurisë në Kosovë dhe një faktor kyç i stabilitetit rajonal. Fakti që tani po optimizojmë praninë tonë është një tregues pozitiv se mjedisi i sigurisë është, në përgjithësi, i qëndrueshëm. Megjithatë, NATO dhe KFOR-i mbeten plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë. Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, ndërsa siguria e tij është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e hapësirës euroatlantike. NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi të sigurisë, ka deklaruar Ulutash.
Sa i përket sulmit në Banjska, Ulutash ka thënë se KFOR-i reagoi me shpejtësinë e nevojshme dhe “në përputhje të plotë me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së dhe sipas procedurave e protokolleve të vendosura”.
