Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Gjylymsere Kasapi, ka përlotur të gjithë të pranishmit me fjalët e saj të ndjera. Ajo e nisi fjalimin duke falënderuar mikun e familjes, kryetarin e sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitin, për organizimin e këtij nderimi.
“Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” tha ajo mes dëshpërimit.
Pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, ajo rrëfeu se përballë kësaj humbjeje, fjalët i kishin humbur peshën.
“Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”
Megjithatë, mes dhimbjes, ajo u shpreh krenare për dashurinë masive që publiku kishte për djalin e saj, një dashuri që ajo thotë se nuk e kishte kuptuar plotësisht sa e madhe ishte deri më sot.
“Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”

