Presidenti Bajram Begaj ka uruar sot Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) me rastin e 77-vjetorit të krijimit të saj. Në mesazhin e tij, Begaj e cilësoi NATO-n si një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, të ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët.
“Prej 77 vitesh NATO është një nga arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, një Aleancë e ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin për garantimin e lirisë, sigurisë dhe mbrojtjen e përbashkët. NATO vazhdon të jetë simbol i unitetit dhe përgjegjësisë kolektive, duke mbrojtur vlerat demokratike dhe forcuar sigurinë Euroatlantike. Prej 17 vitesh Shqipëria qëndron krenarisht si një anëtare e denjë në këtë familje, duke kontribuar për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen kolektive”, u shpreh Begaj.
Ai theksoi se rritja e buxhetit të mbrojtjes dhe kontributi aktiv i Shqipërisë në misionet e NATO-s janë dëshmi e përkushtimit të palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta.
