Një 24-vjeçar nga fshati Fullqet i Klosit në Shqipëri është arrestuar pasi me veturën e tij ra në përroin e fshatit Dars dhe nuk e ndihmoi pasagjerin me të cilin ishte dhe as nuk e njoftoi policinë.
Pasagjerin 30-vjeçarin dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit dhe në kërkim të tij janë angazhuar shërbimet e policisë dhe polumbarët e RENEA-s.
“Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja. Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K”, tha policia shqipare.
Fillimisht në mediat e Shqipërisë u raportua se kërkimet u bënë për të gjetur shoferin e veturës, por më pas ndryshoi policia sqaroi rrethanat.
Komunikata e plotë:
Ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars, nuk njoftoi Policinë dhe u largua nga vendngjarja, dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit, Policia identifikon, kap dhe arreston 24-vjeçarin.
Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.
