Janez Jansha është zgjedhur të premten kryeministër i ri i Sllovenisë, duke marrë për herë të katërt drejtimin e qeverisë së vendit.
Asambleja Shtetërore e Sllovenisë e ka votuar liderin e Partisë Demokratike Sllovene (SDS) me 51 vota pro dhe 36 kundër në një votim të fshehtë, raportoi agjencia STA.
Me këtë votim, Jansha ka marrë mandatin për formimin e qeverisë së tij të katërt, e cila do të jetë qeveria e 16-të në historinë e Sllovenisë. Brenda 15 ditësh, ai duhet t’i propozojë parlamentit emrat e ministrave të rinj.
Pas zgjedhjes, Jansha ka bërë betimin para deputetëve, duke premtuar se do të respektojë rendin kushtetues dhe do të punojë “me të gjitha forcat për të mirën e Sllovenisë”.
Një ditë më parë, ai kishte nënshkruar marrëveshje koalicioni me partitë Sllovenia e Re (NSi), Partia Popullore Sllovene (SLS), Fokus dhe Demokratët, me të cilat po formon shumicën qeverisëse. Mbështetje për Janshën kanë dhënë edhe deputetët e partisë Resnica, megjithëse kjo parti nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.
