Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është takuar me familjet e ushtarëve të vrarë duke luftuar për Rusinë kundër Ukrainës dhe shprehu “ngushëllimet e tij të thella”, thonë mediat shtetërore.
Në një ceremoni të veçantë të mbajtur të premten, Kim u pa duke ngushëlluar familjet e pikëlluara dhe duke u paraqitur atyre portrete të të dashurve të tyre të vdekur të mbështjellë me flamurin e Koresë së Veriut.
Koreja e Jugut beson se Veriu ka dërguar rreth 15,000 trupa për të ndihmuar luftën e Rusisë me Ukrainën, së bashku me raketa dhe armë me rreze të gjatë veprimi. Në këmbim, besohet se Koreja e Veriut mori ushqim, para dhe ndihmë teknike, raporton BBC.
Koreja e Veriut e pranoi rolin e saj në konfliktin e huaj vetëm në prill, duke pranuar se disa nga ushtarët e saj ishin vrarë.
Në janar, zyrtarët perëndimorë i thanë BBC-së se besonin se të paktën 1,000 nga trupat e dërguara nga Koreja e Veriut ishin vrarë në tre muaj, me disa mijëra të tjerë të plagosur, por vlerësimet më të fundit e kanë çuar shifrën më afër 600 të vrarëve.
Ceremonia e së premtes ishte e dyta e këtij lloji brenda një jave. Gjatë këtij eventi, Kim tha se ishte i mbushur me “pikëllim” që nuk arriti t’i kthente ushtarët gjallë, duke u zotuar të ndërtonte një monument në nder të tyre dhe për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.