Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka uruar ndërrimin e motmoteve të gjithë shqiptarëve. Ai u shpreh përmes një video-mesazhi se në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare.
“Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë”.
“Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë”, tha Begaj.
Në mesazh, Begaj thotë më tej se shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm.
