Një person ka humbur jetën, të paktën 14 të tjerë janë plagosur dhe sot ka ndodhur një sulm i tretë, kësaj radhe në Varshavë.
Sulmi i fundit ndodhi sot rreth orës 12:30 në një institucion arsimor në rrugën Mińska në Varshavë.
Sipas policisë polake, një grua 21-vjeçare sulmoi me thikë një vajzë 17-vjeçare, e cila kishte shkuar në zyrën e shkollës për të dorëzuar dokumente.
Në sulm u plagosën gjithashtu dy gra të tjera, të moshës 17 dhe 24-vjeç, por janë jashtë rrezikut për jetën.
Sulmuesja është arrestuar dhe policia po punon për të përcaktuar motivin e sulmit. Deri më tani, nuk ka prova që e lidhin sulmin e sotëm me incidentet e mëparshme.
Sulmi i parë ndodhi më 7 tetor, në një shkollë profesionale në Ostrołęka, një qytet në verilindje të Varshavës. Më 8 tetor, ndodhi një sulm tjetër në një shkollë fillore në fshatin Leszczydół-Nowiny, gjithashtu pranë Varshavës.
Pas sulmeve filluan të qarkullonin paralajmërime për sulme të tjera, përfshirë mesazhe që e cilësonin të premten, më 9 tetor, si “E Premtja e Përgjakshme”.
Nga frika e dhunës, 59 shkolla në të gjithë Poloninë kryesisht në rajonin e Mazovisë, ku përfshihet edhe Varshava anuluan mësimin të premten.
Policia i hodhi poshtë pretendimet e përhapura në internet se bëhej fjalë për një sfidë të organizuar online që nxiste nxënësit të kryenin sulme.
Policia ka ndaluar 76 persona dhe ka kontrolluar pothuajse 50 mijë institucione arsimore.