Nëntë persona, mes tyre dy fëmijë dhe një grua shtatzënë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur hapi zjarr në një banesë në qytetin Erie, në shtetin amerikan të Pensilvanisë, të premten pasdite.
Ngjarja ndodhi pak para orës 17:00, kur policia mori një telefonatë për të shtëna në Perry Street, në pjesën lindore të qytetit. Sipas rrjetit lokal televiziv Erie News Now, oficerët që mbërritën në vendngjarje gjetën dy gra të vdekura nga plagët e armës jashtë banesës. Dëshmitarët thanë se një burrë kishte qëlluar me armë jashtë shtëpisë para se të futej brenda.
I armatosur me pistoletë, i dyshuari u mbyll në banesë dhe refuzoi të dorëzohej, duke shkaktuar një operacion të gjatë policor. Forca të shumta, përfshirë ekipin special SWAT, rrethuan zonën dhe u përpoqën ta bindnin të dorëzohej përmes altoparlantëve. Gjatë operacionit u dëgjuan edhe të shtëna nga brenda ndërtesës.
Kur policia arriti të hynte në banesë, gjeti disa trupa të pajetë të shpërndarë në ndërtesë. Mes viktimave ishin dy fëmijë dhe, sipas raportimeve, një grua shtatzënë. Edhe i dyshuari u gjet i vdekur, ndërsa shenjat fillestare sugjerojnë se ai mund të ketë kryer vetëvrasje.
Shefi i Policisë së Erie-t, Rick Laura, u shpreh i tronditur teksa përshkroi skenën me të cilën u përballën zyrtarët.


