Thesari i Shteteve të Bashkuara të enjten vendosi sanksione ndaj anëtarëve të familjes shqiptare Hysa në Meksikë, duke e akuzuar atë se e ka përdorur perandorinë e kazinove dhe restoranteve si mbulesë për shpëlarjen e parave të kartelit meksikan, Sinaloa.
Thesari amerikan tha se “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG) u godit sot pas një pune të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Meksikës”.
“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë së bashku për të luftuar shpëlarjen e parave në sektorin e lojërave të fatit në Meksikë. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: Do të mbaheni përgjegjës”, tha nënsekretari i Thesarit për Çështjet e Terrorizmit dhe Inteligjencën Financiare, John K. Hurley.
Në përgjithësi, në listën e zezë janë futur 27 individëve dhe entiteteve, transmeton Periskopi. Familja Hysa në të kaluarën ka mohuar publikisht çdo lidhje me krimin e organizuar.
Kush është familja Hysa dhe për çfarë akuzohen?
Sipas Thesarit, familja Hysa, apo HOCG, përfshin anëtarët e familjes, Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa.
Kjo familje akuzohet se e ka përdorur ndikimin e vet përmes investimeve ose kontrollit mbi biznese të ndryshme me bazë në Meksikë – duke përfshirë lokale bastesh dhe restorante – për t’i shpëlarë paratë e përfituara nga trafiku i narkotikëve. SHBA-ja beson se HOCG vepron me pëlqimin e kartelit Sinaloa, i cili mban kontroll kriminal mbi pjesën më të madhe të territorit ku grupi zhvillon aktivitetet e tij.
Luftari, i cili jeton mes Meksikës dhe Kanadasë, shihet shpesh në media si një nga anëtarët kryesorë të familjes Hysa, duke dhënë intervista publike mbi bizneset e familjes në Meksikë dhe Evropë. Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë punuar ngushtë me një person amerikan për pastrimin e parave, përfshirë transportimin e sasive të mëdha të parave të gatshme nga Meksika në Shtetet e Bashkuara, ku kompania e atij personi amerikan është përdorur për shpëlarjen e parave, sipas Thesarit amerikan.
Luftari dhe Arbeni kanë përdorur një entitet me bazë në Evropë për t’u pasuruar nga shpëlarja e parave të paligjshme që i përkisnin personave të dyshuar për trafik narkotikësh. Luftar gjithashtu zotëron ose drejton disa kompani që përdoren nga familja Hysa. Arbeni zotëron ose drejton disa kompani që përdoren nga familja Hysa në Meksikë. Ai gjithashtu është përfshirë në kontrabandimin e sasive të mëdha të parave të gatshme në Shtetet e Bashkuara me synimin për t’i shpëlarë ato, si dhe në përdorimin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze në Meksikë për t’i shpëlarë paratë e drogës.
