Agjentë të inteligjencës ukrainase kanë vrarë dy anëtarë të një celule të shërbimit sekret rus, të kërkuar si të dyshuar për vrasjen e një koloneli javën e kaluar.
Agjencia e inteligjencës SBU tha në një deklaratë se operacioni kishte si qëllim arrestimin e agjentëve të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), të cilët besohet se qëndrojnë pas vrasjes së kolonelit Ivan Voronych, gjithashtu anëtar i shërbimit ukrainas të sigurisë (SBU), ngjarje që ndodhi të enjten në Kiev.
“Këtë mëngjes u zhvillua një operacion special, gjatë të cilit anëtarët e celulës agjente të FSB-së ruse nisën të rezistonin, dhe për këtë arsye u eliminuan,” thuhet në një deklaratë të publikuar të dielën në aplikacionin Telegram, sipas The Guardian.
Autoritetet ruse nuk bënë asnjë koment publik menjëherë pas operacionit të së dielës, i cili ngjan me vrasje të mëparshme të zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë nga Ukraina gjatë këtij konflikti trevjeçar.
SBU tha se dy persona, një burrë dhe një grua dyshohen se e kanë vrarë kolonelin Voronych në një sulm të guximshëm në mes të ditës, i cili u kap nga kamerat e sigurisë. Nuk u bë e ditur sa agjentë të dyshuar të FSB-së u vranë të dielën, por SBU publikoi një video ku shihen dy trupa të pajetë.