Sot festohet Dita e Verës. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe veçanërisht në Tiranë.
Aktivitete të shumta janë organizuar në Elbasan dhe Tiranë, përfshirë festivalin e ballokumes, performanca muzikore, panaire, ekspozim i makinave retro, etj. Disa rrugë do të jenë të bllokuara.
Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet.
Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballokumeve.
