Zyra e prokurorit francez njoftoi se dy të dyshuar në vjedhjen spektakolare të bizhuterive mbretërore nga Luvri i Parisit kanë rrëfyer pjesëmarrjen e tyre në grabitje dhe po mbahen në paraburgim. Megjithatë, bizhuteritë e vjedhura nuk janë gjetur ende, raporton KosovaPress.
Siç konfirmoi prokurorja e Parisit Laura Beccuau, të dyshuarit u arrestuan të shtunën dhe u morën në pyetje për 96 orë, pas së cilës u çuan para një gjyqtari hetues i cili do të vendosë mbi padinë zyrtare për grabitje të armatosur si pjesë e një grupi të organizuar, një krim i dënueshëm deri në 15 vjet burg.
Njëri nga të dyshuarit, një algjerian 34-vjeçar, ishte arrestuar më parë për shkelje të rregullave të trafikut dhe u identifikua falë gjurmëve të ADN-së të gjetura në skuterin e përdorur nga sulmuesit.
Tjetri, një 39-vjeçar nga periferia e Parisit, Aubervilliers, punonte si shofer taksie ilegal dhe shpërndarës dhe ishte i njohur për policinë për vjedhje të rënda. ADN-ja e tij u gjet në xhamin e një vitrine të thyer gjatë grabitjes.
Njëri nga burrat u arrestua në aeroportin Charles de Gaulle ndërsa përpiqej të largohej nga vendi me një fluturim drejt Algjerisë.
Grabitja ndodhi më 19 tetor në Galerinë Apollo, sallën më luksoze të Luvrit, ku ekspozohen xhevahiret mbretërore franceze. Në një bastisje që zgjati vetëm shtatë minuta në mes të ditës, katër sulmues të maskuar hynë nga një dritare duke përdorur një vinç të montuar në kamion, thyen dy dollapë sigurie dhe u larguan me nëntë sende me vlerë rreth 88 milionë euro.
