E parë nga ajri, Gaza duket si rrënojat e një qytetërimi të lashtë, të nxjerra në dritë pas shekujsh errësire. Një mozaik formash betoni dhe muresh të shkatërruara, lagje të shpërndara me kratere, rrënoja dhe rrugë që nuk të çojnë askund. Mbetjet e qyteteve të zhdukura.
Por këtu, nuk ka pasur fatkeqësi natyrore dhe as kalim të ngadaltë të kohës.
Gaza ishte një vend i gjallë deri më pak se dy vjet më parë, pavarësisht të gjitha sfidave që banorët e saj përballuan edhe atëherë. Tregjet e saj ishin të mbushura me njerëz, rrugët e saj plot me fëmijë. Ajo Gaza është zhdukur – jo e varrosur nën hirin vullkanik, jo e fshirë nga historia, por e rrafshuar nga një fushatë ushtarake izraelite që ka lënë pas një vend që duket si pasojat e një apokalips, raporton The Guardian.
Anëtarë të ushtrisë së Jordanisë qëndrojnë midis pakove të ndihmave që do të hidhen në Gaza
The Guardian mori leje të martën për të udhëtuar në bordin e një aeroplani ushtarak jordanez që ofron ndihmë. Izraeli njoftoi javën e kaluar se kishte rinisur dërgesat humanitare të koordinuara nga ajri mbi Gazën, pas presionit në rritje ndërkombëtar për mungesa të mëdha ushqimore dhe furnizimesh mjekësore, të cilat kanë arritur në një pikë kaq kritike saqë atje po përhapet një zi buke.